
KUR VIZATOHET FYTYRA E KOHËS
(Shënime për Bienalin VII të vizatimit)
Me anë të penës, lapsit, bojës, ngjyrës artistët kanë “fiksuar” në peizazhe, kanë shënuar portretizime për bashkëkohësit, kanë kultivuar dëshmitarin. Ajo po bëhet një “kalendar” për të njohur kohën, vendin e veprimet e njerëzve në të. Kësaj kohe, në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve, është i pranishëm Bienali i vizatimit, ky manifestim i rrallë, i cili ngjall kurreshtje, tërheq, gjallëron e mbush kohën e zbrazët duke e kthyer atë në burim idesh, ngacmimesh e debatesh shkencore mbi artin. Ky Bienal ka qenë objekt edhe për një studim të artit tonë figurativ.
Mungesa në këtë manifestim e disa autorëve është një dukuri që nuk ka kaluar pa u ndjerë. Po ashtu, pjesëmarrja e mjaft autorëve të rinj është një dukuri pozitive. Kjo është një garë e lirë për të dhënë më të mirën nga vetja, për të shprehur me vepra, mendime e mesazhe të drejtpërdrejta ose të tërthorta, në të cilat mishërohet jo vetëm e përditshmja jonë, bota e kohës dhe e jetës, bota morale, humane e filozofike.
E reja e trazuar në këto ekspozita ngjall në të shumtën e rasteve botën e pasur të ngjyrave dhe të formave, një botë poetike të pasur e të fuqishme. Temat, subjekti i zgjedhur nga artistët janë: jeta, puna, bota urbane, autobiografia jonë e strukturuar përmes linjës dhe formës.
Te vizatimet e ekspozuara të Musli Mulliqit i shquar lirizmi i hollë, delikat, si dhimbje dashurie e si ëndërrim poetik. Te Agim Nebiu shquhet serioziteti i qasjes shpirtërore ndaj jetës, pjekuria plot kulturë. Në një tjetër vizatim, portreti dhe kompozicioni i Shpend Bengës vjen i qartë, i menduar, i ndërtuar me ngrohtësi e shprehje të pasura të ndjenjës artistike. Në tablonë e Astrit Lulakut bie në sy interesi për elementët e thjeshtë përmes arbërit. Ndërsa, Gaspër Dragu na ofron vizatime ku ngjyrat e hapura mbushin me jetë figurat dhe format e buta mbeten si kujtime të vagullta por të ngrohta.
Te Shefqet Emini mendimi që ka shtyrë për të realizuar një portret është ai i familjes njerëzore, sidomos e shprehur përmes autoportretit. Edhe Maks Velo mbetet besnik i kërkimit artistik, që në këtë bienal përfaqësohet me një sërë veprash, ku bie në sy portreti i Rexhep Ferrit. Mendonim se ky artist vjen i pjekur, i pasur me ide e elemente, nganjëherë nuk e kapëre dhe nuk e dëshiron as vetë kufirin.
Muhamet Shala, përmes vizatimeve të tij, të imponon me zhdërvjelltësinë, realizmin e ndjenjës, realizimin e hollësishëm. Ky artist ka një prirje për t’u përqendruar në portret, për të nxjerrë atë si element energjik dhe si artistik. Mund të themi, madje, se veprat e tija përbëjnë një frykë të rëndësishme të këtij bienali.
Në një vizatim të madh realist të Fatmir Zajmit ka një dhënie epike, puna është gjallëruese, vizatime që përbëjnë kami të kësaj ngjarjeje artistike.
Zehra Agim, me ngrohtësinë dhe finesën që e shquan femrën e këtij vendi, për vizatimin e saj ka shfrytëzuar me pasion tematikën e jetës së përditshme, por duke e shndërruar atë në një hapësirë me tingujt e kohës që shprehin harmoninë e saj shpirtërore.
Vizatimet e piktorit kosovar Adem Kastrati kanë pasur përherë një tërheqje për publikun. Përsëri ky autor është shfaqur me një krijimtari të mbushur me ide, e realizuar me mjeshtëri dhe përvojë.
Një vend me peshë në këtë Bienal zë edhe arti i vizatimit të artistit Milot Tërshana. Ai, me natyrshmërinë e tij dhe përkushtimin, arrin të shprehë, jo vetëm me saktësi, por edhe me forcë ndjenjën artistike dhe mendimin.
Ky bienal i ka dhënë një vend të veçantë vizatimit të Kadri Jasharit, i cili, nëpërmjet një forme të thjeshtë, por të menduar thellë, arrin të shprehë një ide universale. Edhe vizatimi i Milosh Nikolli është i mbushur me forcë shprehjeje dhe me një strukturë të veçantë kompozicionale.
IRONIA E PADREJTËSISË NË ART
Ah, sa me respekt paska shkruar kritiku i artit Skënder Boshnjaku për vizatimin e Shefqet Eminit! Sa fjalë, sa peshë, sa rendësi ))... Dhe me plot të drejtë – autoportreti i tij në Bienalin e vizatimit në Prishtinë ishte një nga punimet më të arrira. Juria seleksionuese, unanimisht, i caktoi shpërblimin. Një vendim i pastër, i ndershëm, i bazuar vetëm mbi vlerën artistike.
Por ja ku hyn në skenë “tradita jonë” e errët. Të nesërmen, si me magji, shpërblimi iu dha dikujt tjetër – një artisti me emrin Muhamet Shala. Pa jurí, pa kritere, pa turp. Ky ishte akti i zakonshëm i asaj që ne e quajmë me delikatesë mafia kulturore. Dhe si çdo mafie, ajo nuk i njihte kufijtë e arsyes, të meritës e as të drejtësisë.
Një anëtar i jurisë, me inicialet Xh.Xh., e pranoi hapur: “Ne të gjithë ishim njëzëri, shpërblimi ishte për Shefqetin.” Madje ai i kërkoi gazetarit të njohur të asaj kohe, A. Kajtazi, që të shkruante për këtë padrejtësi. Dhe gazetari – si çdo profesionist i devotshëm ndaj heshtjes – premtoi shumë, por nuk shkroi kurrë asgjë. Ironia e madhe e profesionit të lirë: kur duhet të thuash të vërtetën, më mirë e mbyt në fjalë të pambyllura.
Dhe kështu, e vërteta u mbulua, ndërsa padrejtësia festoi. Sepse tek ne gjithmonë ka qenë më lehtë të nënçmosh meritën sesa ta nderosh atë. Më lehtë të përkulesh para intrigës sesa para vlerës.
Mos t’i fajësojmë armiqtë e jashtëm – jo! Tradita e plehut është rritur me kujdes brenda nesh. Dhe si çdo kulturë e deformuar, ajo vazhdon ende sot. Atëherë ishte “normale” të vidhje një shpërblim, sot është po aq “normale” të vjedhësh mundësitë e të rinjve, të mashtrosh publikun dhe të tallesh me artin.
Ky rast nuk është thjesht një kujtim i hidhur, por një aktakuzë ndaj një pjese të shoqërisë sonë që e ka harruar nderin. Është një ironi e zymtë që në vendin tonë arti duhet të luftojë jo vetëm për t’u kuptuar, por edhe për t’u mbrojtur nga bandat kulturore që fshehin krimet e tyre pas emrit të traditës.
E ardhmja? Le të shpresojmë se brezi i ri nuk do të trashëgojë këtë ligësi. Le të shpresojmë se do të kemi një shoqëri të shëndoshë, ku shpërblimi i artistit nuk vidhet natën, e ku e vërteta nuk groposet në heshtje. Deri atëherë, mbetet detyra jonë të kujtojmë, të denoncojmë dhe – me një ironi therëse – të përqeshim ata që ende guxojnë ta quajnë këtë kulturë.